A na duhet një Parmentier shqiptar ?

A na duhet një Parmentier shqiptar ?
PATATJA për zhvillimin ekonomik të shqiptarëve.

mardi 29 décembre 2009

A na duhet një Parmentier shqiptar ?

*
A na duhet një Parmentier shqiptar ?

Nga Blerim Uka


Kur po përgatitesha të shkoja për studime në Amerikë e takova një mik, i cili posa kthehej në Shqipëri nga Evropa Perëndimore ku kishte mbaruar studimet në bujqësi. I entuziazmuar me ide të reja për shoqërinë shqiptare më tha se e jo vetëm që ishte i kënaqur dhe krenar me diplomën që e kishte marrë por edhe se kishte mësuar kush ka qenë Parmentier.


Në fillim nuk më bëri përshtypje ajo që më tha por më vonë e mësova se çka donte të thoshte.


Me t’u kthyer në atdhe, paralelisht punës në një shoqëri shtetërore, miku im e ka hapur si aneks të shtëpisë një dhomë të errët. Që në pranverën e parë ka mbjellë patate në gjysmën e një are ku tradicionalisht mbillej gruri e nganjëherë edhe misri . Gjysma a arës i ka dhënë dhjetëra herë në sasi më shumë patate se që do i jepte e tërë ara grurë. I ka futur patatet nëpër kuti druri apo në thasë dhe i ka vendosur nëpër rafte (disa dërrasa të thjeshta) në dhomën e errët. Familja ka konsumuar patate si ushqim kryesor tërë vitin dhe pjesën tjetër e ka shitur duke fituar më shumë se rroga me diplomë universiteti, pa llogaritur këtu kursimet e familjes për ushqim. Dihet se harxhimi më i madh i familjes shqiptare është ushqimi.


Fqinjët dhe rrethi në fillim mendonin se familja në fjalë e kishte ndryshuar gjendjen ekonomike sepse e kishte pasur një djalë në botën e jashtme. Shpejt e kanë kuptuar të gjithë se djali i familjes nuk ka qenë në botën e jashtme për të holla por për të studiuar. Ajo që i ka ndryshuar familjes gjendjen ekonomike (e padyshim edhe atë sociale) ishte mësimi që kishte marrë gjatë studimeve. Nga ai mësim është duke përfituar sot tërë fshati. Gradualisht, shpresoj se do të përfitojë edhe rrethi me i gjerë deri te kombi mbarë.


I bindur se kjo përvojë është e dobishme për publikun shqiptar, i thashë miku në fjalë që të shkruante për idenë që e kishte trashëguar nga monsieur Parmentier. Meqë mikut tim nuk i pëlqen të shkruajë (as unë nuk e dija se më pëlqente të shkruaja para se ta bëja analizën time kritike të Kanunit në sajtin BloguiBlerimUkes.blogspot.com) e fillova ketë shkrim duke e pasur një dëshirë për zhvillimin ekonomik të shqiptarëve. Besoj se kur problemi i ushqimit tejkalohet atëherë familja apo shoqëria ka mundësi të mendojë për gjëra tjera siç është arsimi, kultura, shëndetësia, mjedisi, siguria… Shkurt, të gjithë sektorët tjerë shkojnë mbarë.


Meqë miku im me përmendi francezin Antoine Parmentier i cili ka jetuar në vitet 1737- 1813 po them ca fjalë për të.


Në Francë emri Parmentier ndodhet gjithkund. Një stacion i metrosë në Paris - në lidhjen 3 - në rrethin 11 e mban emrin e tij. Një rrugë në Paris e mban emrin e tij. Një përmendore është ngritur për nder të tij në oborrin e Fakultetit të Farmacisë në Paris. Jashtë Parisit, një shkollë fillore private, një shkollë publike, një kolegj mbajnë emrin e tij. Një fshat e mban emrin e tij dhe statuja e tij është e vendosur para ndërtesës së komunës së një qyteti. Në Montdidier, komunë në Pikardi, një statujë e bronzi e dominon sheshin Parmentier. Aty Parmentier dhuron disa patate një bujku mirënjohës. Numërimi nuk mbaron me kaq.


Në anën tjetër, shumë ushqime mbajnë emrin “parmentier”. Po i japim këtu vetëm disa. (Në fund të faqes ParmentierShqiptar.blogspot.com e kam vendosur një fotografi të identifikuar me numër për të ilustruar secilin ushqim.)
Pra :

1. Hachis parmentier (gjellë me kima, me mish të grirë me patate)

2. Potage parmentier (supë, çorbë me patate)

3. Gratin parmentier (tavë me patate)

4. Omelette parmentier (omëletë me patate)

5. Pain parmentier (bukë me patate)

6. Gâteau parmentier (pastë, ëmbëlsirë me patate)

7. Salade parmentier (sallatë me patate)

8. Pâté parmentier (byreçkë me patate)

9. Beignet parmentier (kulaç i ëmbë me patatel)

10. Feuilleté parmentier (pite me patate)…


Si u bë i njohur Parmentier? Në moshën 20 vjeçare, është farmacist ushtarak. Gjatë burgosjes në Gjermani zbulon cilësitë ushqyese të patates. Me t’u kthyer në Francë në vitin 1771, merr pjesë në një konkurs të hapur nga një akademi në lidhje me zëvendësimin e grurit për prodhimin e bukës dhe e shkruan një memorie në lidhje me pataten. Teza e tij e bën të famshëm.


Përveç teorisë, Parmentier është i njohur edhe për aspektin militant. Në kuadrin e aktiviteteve për ta bërë sa më shumë të njohur pataten ai organizon darka e bankete me personalitete të famshme ku ushqimi kryesor është patatja. Për ta bërë aktivitetin sa më spektakular, gjatë një banketi, Permentier ia sjell mbretit Louis XVI (Luigji q 16-të) një tufë me lule të patates të cilën mbreti e ekspozon në xhep të kostumit të tij. Ndërsa mbretëresha Marie-Antoinette e vë tufën e luleve të patates në atë parukën që bartej nga mbretëreshat e saj kohe.


Në një nga banketet e tilla ka marrë pjesë edhe ambasadori i atëhershëm amerikan në France, Benjamin Franklin, i cili ishte shpikës i madh, shkencëtar dhe themelues Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rëndësinë e zotit Franlin mund ta kuptoni nga fakti se njëqind dollarëshi amerikan e mban fotografinë e tij.


Nga ajo që u tha më lart kuptohet se Amerikanët kanë përfituar nga zbulimi i francezit Parmentier. Amerikanët nuk kanë problem t’i adoptojnë elementet e kulturave tjera nëse binden se ajo gjë është në interesin e tyre.


Në SHBA i bëhet shumë reklame patates qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë qoftë në mënyrë subliminale. Mund të shihni reklama të mëdha në autostradë dhe nëpër media. Nëpër filma mund të vëreni personazhe duke e qëruar patate dhe patate të ziera, të pjekura - më lëvore pa lëvore, pure... pranë sallatës, mishit apo salcës.


I inspiruar nga historia e mikut tim, kur kam qenë student në SHBA kam vizituar disa muze të patates. Madje kam udhëtuar nga një shtet amerikan në tjetrin me të vetmin qëllim të vizitoj një muze të patateve. Aty, përveç aspektit historik mund të mësohet se si kultivohet, si përgatitet në ushqime, ose industri, si ruhet, e tjera. Nëpër korridore të muzeut shihen afishe të aktoreve të bukura në fushë të patates me një thes plot patate në dorë. Më tutje, radhiten skulptura të ndryshme në patate pranë fotografive të patateve në formë të zemrës e tjera.


Të kthehemi në trojet tona. Edhe pse nuk jetoj në to, atje e kam mendjen. Ta bëjmë një pyetje : A duhet një Parmentier shqiptar?


Personalisht mendoj se do të ishte shumë mirë. Ne kemi një popull relativisht të shkolluar, fuqinë punëtore më të re në Evropë. Në anën tjetër kemi tokat të shterpa dhe njerëz që vuajnë nga uria. Për t’i ushqyer të uriturit me grurë, duhet ara e madhe. Ajo duhet të përgatitet për mbjellje, të mbillet gruri, të korret të shihet, të bluhet, të sitet, të vijë brumi, të bëhet buka... e pastaj të shuhet uria.
Në anën tjetër, patatja për të ardhur në tryezë ka nevoje për shumë më pak tokë. Mandej si të nxirret nga toka (pa makinë shirëse, mulli, sitë...) zihet e hahet, piqet e hahet, bëhet pure apo gjellë dhe vjen në sofër.


Nëse del dikush që ka autoritet e zë të madh që ta dëgjojnë të gjithë dhe ua shpjegojë këtë shqiptareve, atëherë gjërat do të ndryshojnë. Në vend se të durojnë urinë, njerëzit do të mendojnë për kulturën, lumturinë, realizimin e ëndrrave.
Dihet se shtetet shqiptare e importojnë grurin në vend se ta ndihmojnë e favorizojnë kultivimin e patates. Ky aspekt mund t’i prekë disa me plot arsye por, po ta ndjekim hollë e hollë, patatja nuk ka nevojë kultivohet e të konsumohet për inat të grurit apo të importit. Atë perime duhet ta adoptojnë shqiptarët sepse, siç u tha, kultivohet lehtë, ruhet lehtë, përgatitet lehtë dhe ka cilësitë më të mira ushqyese që mund të ketë një perime apo drith.


Vetëm duhet një Parmentier shqiptar që të gjejë mënyrën që të fillohet fushata kombëtare në fushën e patates.


Mbetem me shpresë se historia e vërtetë e zotit Antoine Parmentier do t’i influencojë shqiptarët ashtu siç i ka influencuar amerikanët, gjermanët e shumë popuj të tjerë.

*

Sikoni fotografitë këtu poshtë në fund të faqes.

*